Media në shërbim të biznesit apo të qytetarëve? Skandali i mishit me salmonelë dhe promovimi i dyshimtë në televizione kombëtare

Në një kohë kur qytetarët shqiptarë janë të alarmuar nga skandali i importit të mishit të pulës me salmonelë nga kompania “AMG Food”, mediat kryesore duket se po ndjekin një rrugë të kundërt nga ajo që pritet në një shoqëri demokratike.
Administratori i kompanisë në fjalë, Arben Goxha, është proceduar penalisht për futjen në treg të produkteve të rrezikshme për shëndetin publik. Sipas Policisë së Shtetit dhe raportimeve mediatike, rreth 8 tonë mish pule i kontaminuar është shpërndarë në treg, ndërsa vëllai i tij dhe tre inspektorë të AKU-së janë po ashtu nën hetim.
Por ndërsa pritej që media të kërkonte transparencë dhe përgjegjësi, dy prej televizioneve më të mëdha në vend kanë vepruar në mënyrë të çuditshme.
Blendi Fevziu, një nga figurat më të njohura të ekranit shqiptar, publikoi një reportazh promovues nga ambientet e kompanisë “DiMal”, një tjetër emër i përfolur në industrinë ushqimore, duke e paraqitur si një model suksesi dhe inovacioni.
Ndërkohë, në një tjetër ekran, Grida Duma fton në emisionin e saj pikërisht Arben Goxhën, administratorin e “AMG Food”, i cili shfrytëzon hapësirën për të shfajësuar veten dhe për të bërë promovim për kompaninë, pa një përballje serioze apo analizë kritike.
Këto zhvillime ngrenë pyetje serioze:
A është media në Shqipëri në shërbim të qytetarëve, apo në shërbim të kompanive që përballen me skandale të rënda?
A po përdoret televizioni për të larë imazhe dhe jo për të mbrojtur interesin publik?
Shëndeti i qytetarëve nuk mund të relativizohet përmes imazheve të bukura dhe reklamave të fshehura. Ky është një moment reflektimi për etikën në media, përgjegjësinë publike dhe rolin që duhet të luajë shtypi i lirë në një demokraci funksionale.