Gazetarët e Fierit në takim me Policinë dhe Prokurorinë: Transparencë dhe siguri më e madhe për median

Gazetarët që raportojnë nga qyteti i Fierit për redaksitë e tyre përkatëse janë bashkuar në një takim me përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Fierit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e transparencës institucionale ndaj medias.

Takimi u organizua me ftesë të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë dhe organizatës Scidev, dhe u zhvillua në formën e një diskutimi të hapur. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i Holandës në Shqipëri, z. Vos.

Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, z. Elion Mustafaj, dhe prokurori përgjegjës për median, z. Denis Hyka, në fjalën e tyre premtuan një qasje të re ndaj gazetarëve, duke theksuar se institucioni që ata përfaqësojnë synon të rrëzojë perceptimin e një “prokurorie me dyer të mbyllura”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Policisë së Shtetit, z. Genti Mullai, njoftoi se është drejt finalizimit Protokolli i Sigurisë për Gazetarët, një instrument që synon mbrojtjen e profesionistëve të medias në terren.

Një konkluzion i përbashkët i takimit ishte se dhuna apo intimidimi ndaj gazetarëve duhet të trajtohet me prioritet nga institucionet, duke garantuar një mjedis më të sigurt dhe më transparent për raportimin mediatik.





