Zbulimi i një varri arkeologjik në Klos të Mallakastrës, dëshmi e hershmërisë së banimit në këtë zonë

Sipas të dhënave arkeologjike, Nikaia – që përkon me fshatin e sotëm Klos në Mallakastër – konsiderohet si vendbanimi i parë i ndërtuar në këtë zonë. Për shkak të mbipopullimit dhe nevojës për zhvillim, komuniteti i atëhershëm u shpërngul në Bylisin e sotëm, i cili më pas u bë një nga qytetet më të rëndësishme të antikitetit në jug të Shqipërisë.

Një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në këtë zonë ndodhi vite më parë, fare rastësisht, pas një banese rrëzë shkëmbinjve. Fuat Verbaj, një banor lokal, tregon se gjatë kërkimeve për gurë për të ndërtuar dyshemenë e shtëpisë së xhaxhait të tij, hasi në themelet e një varri të lashtë, të cilin më pas specialistët e datuan rreth 500 vjet para Krishtit.

Pas këtij zbulimi, Safet Muhameti – banor i fshatit dhe njëkohësisht bashkëpunëtor në ekspedita të ndryshme arkeologjike me profesorët Neritan Ceka dhe Skënder Muçaj – kontaktoi një arkeolog të ardhur nga Tirana. Ky i fundit e ndihmoi në identifikimin e vendndodhjes së saktë të varrit, elementëve që ndodheshin brenda tij dhe metodologjinë e duhur për mbylljen dhe konservimin e strukturës.

Sipas dëshmive të tyre, varri nuk përmbante eshtra apo objekte me vlerë të madhe materiale, përveç disa fragmenteve të enëve prej balte, që ndoshta ishin pjesë e një shërbimi varrimi. Arkeologu i parë që ka inspektuar këtë vend ka qenë Lavdosh Jaupi, specialist i njohur i zonës.

Si kryeplaku i fshatit, ashtu edhe Safet Muhameti, i cili ka punuar për vite me radhë në gërmime arkeologjike, pohuan se ndonëse ka interes të vazhdueshëm nga studiues e arkeologë që e vizitojnë herë pas here këtë vend, nuk është bërë asnjë investim për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tij. Ata shprehin shqetësimin se mungesa e kujdesit institucional e lë këtë pasuri kulturore të ekspozuar ndaj rrezikut të dëmtimit apo grabitjes nga individë që nuk respektojnë vlerat arkeologjike.
