PD Fier reagon ashpër ndaj Policisë së Shtetit: “Sajesa të turpshme në shërbim të Belinda Ballukut”

Shtabi i Partisë Demokratike për qarkun Fier ka reaguar me tone të ashpra ndaj një veprimi të Policisë së Shtetit, të cilin e cilëson si një “sajim të trashë dhe propagandë bajate”, duke e akuzuar për bashkëpunim me Partinë Socialiste dhe në veçanti me zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Nuk na ndikojnë e as na shfokusojnë sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit. Ne jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje”, thuhet në deklaratën zyrtare të PD Fier.
Demokratët kërkojnë hetim të menjëhershëm nga SPAK për rastin dhe shprehën besim të plotë tek Prokuroria e Posaçme për zbardhjen e së vërtetës. Ata theksojnë se Policia e Shtetit po keqpërdoret për qëllime propagandistike kundër Partisë Demokratike dhe për të mbuluar krimin elektoral të “detyrimit të administratës për të marrë pjesë në mitingjet e PS”.
Sipas PD Fier, vetëm gjatë ditës së djeshme janë dërguar 35 fletëthirrje tek strukturat e PS për krime zgjedhore, dhe kjo është arsyeja e vërtetë pse po tentohet, sipas tyre, zhvendosja e vëmendjes nga situata reale.
REAGIM I SHTABIT TË PD, QARKU FIER
Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje.
Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin.
Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD.
Sajesa e trashë, qesharake dhe e turpshme e Policisë së Shtetit është bërë për llogari të PS dhe Belinda Ballukut për të zhurmuar krimin elektoral të detyrimit të administratës për të marrë pjesë në miringjet e PS. 35 fletëthirrje janë dërguar tek strukturat e Partisë Socialiste për krime zgjedhore vetëm ditën e djeshme për këtë krim elektoral. Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier.