Rikthimi i një legjende/ Gjendet Ferrari i Michael Jordan që ishte zhdukur pa gjurmë prej 15 vitesh

Në vitin 1992, Michael Jordan, ‘yll’ absolut i Chicago Bulls, u shfaq në parkingun e United Center duke drejtuar një Ferrari 512 TR Testarossa – një makinë ikonike, po aq e veçantë sa vetë karriera e tij në NBA.
Ky Ferrari iu dorëzua më 29 shkurt të po atij viti dhe Jordan u fotografua shpesh me të, në rezidencën e tij të famshme në Highland Park, Illinois.
Por rrugëtimi i kësaj makine legjendare mori një kthesë interesante.
Më 13 tetor 1995, Jordan ia shiti Ferrarin e tij një personazhi po aq interesant: Chris Gardner, njeriu pas historisë që frymëzoi filmin e njohur “The Pursuit of Happyness”, me Will Smith në rolin kryesor.
Gardner e voziste Ferrarin me targë të personalizuar “Not MJ”, duke respektuar trashëgiminë e ish-pronarit, por duke e bërë të qartë se ai tashmë ishte i vetmi drejtues i saj.
Megjithatë, në vitin 2010, Ferrari i Michael Jordan u zhduk pa lënë gjurmë, pasi ishte shitur në një ankand për afërsisht 100,000 dollarë.
Që nga ajo kohë, makina u kthye në një mister të vërtetë për adhuruesit e automobilizmit dhe fansat e Jordanit.
Pas 15 vitesh kërkimesh, kompania Curated, e specializuar në makina klasike dhe të rralla, më në fund zbuloi vendndodhjen e makinës.
Ajo ishte mbajtur e mbyllur dhe e ruajtur nga një pronar i panjohur për më shumë se një dekadë.
Ishte një nga ato raste që për profesionistët e kësaj fushe sjell emocion të rrallë.
“Ka pak momente në këtë biznes që të bëjnë me të vërtetë të ndjesh drithërima… Gjetja e këtij Ferrari ishte si të zgjidhje një mister që na ka ndjekur për vite me radhë.
Të gjithë e njihnin targën. Të gjithë e njihnin legjendën. Por askush nuk dinte ku ndodhej. Deri tani”, u shpreh i emocionuar John Temerian, bashkëthemelues i Curated.
Ky rikthim i një legjende automobilistike është më shumë se një histori për një makinë – është një rikujtim i një epoke, i një lojtari që ndryshoi përgjithmonë sportin dhe i trashëgimisë së tij që vazhdon të jetojë përtej parketit.