“Tronditet” Berlini! Mjeku dyshohet për vrasjen e qëllimshme të 15 pacientëve, hetimet zbulojnë: Kishte kënaqësi

Një mjek 40-vjeçar në Berlin është vënë në qendër të një skandali të rëndë pas akuzave për vrasjen e 15 pacientëve të tij me një koktej vdekjeprurës medikamentesh.
Prokurorët gjermanë kanë deklaruar se mjeku, i identifikuar si Johannes M., dyshohet se ka vepruar sepse kishte “epsh për vrasje”.
Sipas autoriteteve, viktimat – 12 gra dhe 3 burra – ishin të moshave nga 25 deri në 94 vjeç dhe vdiqën midis shtatorit 2021 dhe korrikut 2024.
Hetuesit thonë se mjeku i ka administruar pacientëve anestezikë dhe relaksues muskujsh, pa dijeninë apo miratimin e tyre.
Substancat e përdorura shkaktuan paralizë të muskujve të frymëmarrjes, duke çuar në ndalim të frymëmarrjes dhe vdekje brenda pak minutash.
Në pesë raste, ai dyshohet se ka vënë zjarr në banesat e viktimave për të fshehur krimet – përpjekje që në disa raste nuk patën sukses.
Sipas detajeve tronditëse të dosjes së prokurorisë, më 8 korrik 2024, mjeku dyshohet se vrau dy pacientë në të njëjtën ditë: një burrë 75-vjeçar në Kreuzberg në mëngjes, dhe një grua 76-vjeçare në lagjen Neukölln pasdite.
Kur nuk arriti të shkaktonte zjarrin e planifikuar në banesën e viktimës së dytë, ai raportohet se kontaktoi një të afërm të saj, duke pretenduar se nuk po merrte përgjigje në derë.
Johannes M. u arrestua fillimisht në gusht 2024, i dyshuar për vrasje nga pakujdesia në katër raste. Por hetimet kanë zbuluar një numër shumë më të madh viktimash dhe dyshime të thella për vrasje me paramendim. Prokurorët tani e përshkruajnë atë si një person me një motiv të pastër kriminal, pa ndonjë përfitim personal – thjesht një “epsh për vrasje”.
Një ekip special hetuesish ka identifikuar 395 raste të dyshimta, ku mund të jetë përfshirë i akuzuari. Deri tani, në 95 raste është konfirmuar dyshimi fillestar, ndërsa 75 të tjera janë ende nën shqyrtim.
Janë kryer 12 zhvarrime, për të hetuar më tej mënyrën e vdekjes, ndërsa pesë zhvarrime të tjera janë në plan.
Ky rast vjen ndërkohë që një infermiere në Aachen po gjykohet për vrasjen e nëntë pacientëve, duke i injektuar me doza të tepruara qetësuesish për të “reduktuar ngarkesën në turnin e natës”. Ajo e kishte përshkruar veten si një “mjeshtre të jetës dhe vdekjes”.