Rrëzohet aksidentalisht gjatë punimeve në aeroportin e Vlorës, humb jetën një 38-vjeçar

Një ngjarje tragjike është shënuar këtë pasdite rreth orës 15:40 në fshatin Akërni, në ambientet e aeroportit të Vlorës, ku dyshohet se ka humbur jetën një punëtor gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi D. H., 38 vjeç, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht nga një lartësi gjatë punimeve në terminalin e aeroportit dhe për pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit. Në kuadër të hetimeve, pritet të merren në pyetje personat përgjegjës për punimet në aeroport, për të përcaktuar nëse janë respektuar të gjitha protokollet e sigurisë në punë.
Autoritetet janë duke kryer veprimet e nevojshme për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore në rast se konstatohet neglizhencë apo shkelje.