Arti dhe gazetaria në qendër të vëmendjes – Divjaka pret edicionin e 5-të të çmimeve “Aristidh Kola”

Divjakë, 19 prill 2025 – Në një ceremoni të veçantë të mbajtur sot në Divjakë, u zhvillua edicioni i 5-të i ndarjes së çmimeve “Aristidh Kola” (Nderi i Kombit), një event që vlerëson personalitete të shquara në fushat e artit, kulturës dhe gazetarisë.
Ky aktivitet u organizua nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë – Qarku Fier, Shoqata Kulturore “Ress Egnatja” dhe media online Newsalbania.al, nën kujdesin e Bashkisë Divjakë dhe Drejtorisë së Kulturës, me mbështetjen e kryetarit të bashkisë Josif Gorrea.
Mes të vlerësuarve këtë vit ishin gazetari i njohur sportiv Dëfrim Methasani, Jonuz Hallaçi, shkrimtari dhe publicisti i njohur Ben Blushi, aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu, gazetarja e Report TV Marsela Topi, si dhe Anastas Ristan Prifti (vlerësuar post mortem për kontributin e tij).
Eventi u moderua nga gazetarja dhe kryeredaktorja e SCAN TV, Alida Lula.
Juria e përzgjedhjes përbëhej nga figura të njohura të gazetarisë dhe historisë: Ilir Krasniqi (gazetar nga Prishtina – kryetar i jurisë), Besim Dybeli (gazetar dhe kryetar i UGSH – Qarku Elbasan), si dhe historiani Ilirjan Gjika.
Ky aktivitet tashmë i konsoliduar synon të promovojë dhe vlerësojë figura që kanë lënë gjurmë në jetën kulturore dhe mediatike të vendit, duke mbajtur gjallë frymën e kontributit të intelektualit të njohur Arbëresh, Aristidh Kola.