Pashkët dhe politika në Fier si Krishti me Antikrishtin!

Nga Marsela Topi, FieriWeb
Edhe këtë vit, festa e Pashkëve ortodokse nuk arriti të bashkojë politikën në kishën e Shën Gjergjit në Fier. Mes mijëra lutjeve të besimtarëve, qirinjve të ndezur dhe atmosferës shpirtërore të ringjalljes, përfaqësuesit politikë u paraqitën të ndarë, duke mos komunikuar apo bashkëvepruar me njëri-tjetrin.
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun Fier, Gazmend Bardhi, u shfaq i pari në ceremoni, i ndjekur nga mbështetësit e tij në mënyrë rreshtore. Bardhi shmangu çdo kontakt apo përshëndetje me përfaqësues të kampit kundërshtar, ndërsa këta të fundit u vendosën në pjesën tjetër të kishës, duke krijuar një ndarje të dukshme. Atmosfera e ftohtë politike ngjalli komente mes të pranishmëve, të cilët vërejtën me ironi se situata i ngjante një skene diplomatike mes delegacioneve të një konflikti të pandalur.
Kjo pamundësi për të dhënë një mesazh uniteti u pa si pasojë e tensioneve në rritje për shkak të fushatës zgjedhore për zgjedhjet vendore të 11 majit.
Gazetarët e pranishëm zgjodhën të mos i drejtojnë mikrofonat përfaqësuesve politikë, duke respektuar solemnitetin e momentit dhe mesazhin e fortë të Dom Gjergj Metës, i cili theksoi: “Nuk ka kuptim të urosh Pashkët, nëse nuk bëhesh Pashkë ti vetë.”
Në këtë klimë të mbushur me tension e heshtje, festa e Pashkëve në Fier solli më shumë reflektim sesa bashkim mes liderëve, ndërsa qytetarët shpresojnë se mesazhi i paqes, tolerancës dhe ringjalljes të përkthehet një ditë edhe në jetën politike të vendit.