Fier – Artizani që u kthye nga emigracioni për të ndjekur pasionin me argjilë

Saimir Kajlic, një artizan nga Fieri, është shembull frymëzues i një të riu që zgjodhi të rikthehet në atdhe për të ndjekur pasionin. Pas emigrimit në Itali në moshën 17-vjeçare dhe më shumë se një dekade pune në sektorin e ndërtimit, Kajlic vendosi të kthehej në Shqipëri në vitin 2018, me ndihmën e një miku, për të ndërtuar një të ardhme ndryshe.
Sot, ai është një nga artizanët më të njohur në prodhimin e objekteve dekorative me argjilë. Punishtja e tij prodhon mbi 400 modele të ndryshme vazosh dhe qypash, të destinuara për kopshte, lokale dhe ambiente të brendshme apo të jashtme. Produktet e tij eksportohen në Itali dhe janë gjithashtu të pranishme në tregun vendas, veçanërisht në qytete si Tirana, Durrësi dhe zona të ndryshme të jugut të vendit.
Për Saimir Kajlic, ky zanat është më shumë se një profesion – është një lidhje shpirtërore me traditën, tokën dhe krijimtarinë shqiptare.