Mallakastër/ 6 muaj pa asnjë gjurmë: Familjarët apelojnë për ndihmë për gjetjen e Dallandyshe Heqimajt

Kanë kaluar gati gjashtë muaj nga zhdukja misterioze e Dallandyshe Heqimajt, 65-vjeçares nga fshati Visokë i Mallakastrës, por ende nuk ka asnjë informacion mbi fatin e saj.
Pak muaj më parë, i biri i saj raportoi zhdukjen e nënës, ndërsa mbrëmjen e sotme ai ka kontaktuar sërish redaksinë duke bërë apel për ndihmë nga qytetarët. Ai kërkon që kushdo që ka informacion të kontaktojë në numrin e telefonit: 0697387880.
Sipas dëshmive të familjarëve, Dallandyshe Heqimaj është larguar nga banesa më datë 3 nëntor 2024, rreth orës 12:10 të mesditës, në drejtim të paditur. 65-vjeçarja vuante nga probleme të ankthit dhe depresionit, çka e bën edhe më të ndërlikuar situatën dhe rrit shqetësimin për shëndetin dhe sigurinë e saj.
Gjatë këtyre muajve, familjarët kanë ndjekur disa pista dhe kanë marrë informacione të ndryshme për vendndodhjen e mundshme të saj, por deri tani, të gjitha kanë rezultuar të pasakta.
Familjarët dhe të afërmit bëjnë thirrje që kushdo që mund të ketë parë ose të ketë ndonjë informacion lidhur me Dallandyshe Heqimajn, të kontaktojë menjëherë në numrin e lartpërmendur.