Komisioni Shtetëror Zgjedhor urdhëron mbylljen e zyrave zgjedhore të disa subjekteve, në kundërshtim me ligjin

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shqyrtoi dje administrativisht kërkesën nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, për ndërprerjen e menjëhershme të transmetimit të spotit/reklamës të subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, shqyrtimi do të vijojë në seancën e radhës pas administrimit të provave.
Në seancën e sotme KSHZ shqyrtoi edhe 21 raportet e shkeljeve të depozituara nga monitoruesit e fushatës zgjedhore për periudhën 24-28 prill 2025.
Në kundërshtim me nenin 5, pika 1 e udhëzimit nr. 6, datë 23.3.2021 të KSHZ, subjektet zgjedhore: Koalicioni “Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” kanë hapur zyra zgjedhore në bashkitë Dibër, Fier, Kamzë, Këlcyrë, Korçë, Përmet, Pukë dhe Tiranë.
Partia Mundësia, ka hapur zyra zgjedhore në bashkitë Kukës dhe Gjirokastër.
“Koalicioni Euroatlantik” ka hapur zyra zgjedhore në bashkitë Gjirokastër, Kamzë dhe Tiranë.
“Partia Socialdemokrate e Shqipërisë” ka hapur zyra zgjedhore në bashkitë Tiranë dhe Kamzë.
Komisioneri u la afat subjekteve 24 orë për mbylljen e zyrave zgjedhore, ndërkohë subjekteve zgjedhore “Partia Mundësia dhe “Koalicioni Euroatlantik” u la kohë të depozitojnë prova/dokumente të cilat vërtetojnë që janë selitë e degëve të partive të tyre dhe jo zyra zgjedhore.
Gjithashtu u shqyrtua denoncimi nr. 137 ID/2025, ku në Bashkinë Durrës, njësia administrative Fllakë, janë identifikuar materiale propagandistike të Koalicionit “PD-ASHM”, të afishuara në shtyllat elektrike, në kundërshtim të nenit 3, pika 2 e udhëzimit nr. 6, datë 23.3.2021, të KSHZ.
U kërkua heqja e materialeve propagandistike nga shtyllat elektrike të lartëpërmendura.
Gjithashtu, u shqyrtua raporti i Autoritetit të Medias Audiovizive të pasqyrimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të, për periudhën 17-23 Prill 2025”.
AMA konstaton Bulevard Tv dhe 6+1 TV, kanë transmetuar reklama jashtë fashave orare të lejuara, ndërsa Shijak TV në emisionet mbi procesin zgjedhor ka aplikuar ndarjen e ekranit gjatë transmetimit dhe në një prej ndarjeve ka vendosur në mënyrë të pandërprerë postera të kandidatëve për deputet.
Komisioneri kërkoi të administrohen pretendimet e OSHMA, për të vijuar me vendimmarrjen në seancën e radhës.