1 Maj me diell në të gjithë Shqipërinë – temperaturat shkojnë deri në 30°C

Dita e parë e majit sjell mot të kthjellët dhe temperatura të larta në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vendi ynë ndikohet nga masa ajrore të ngrohta dhe të thata që vijnë nga veriu i Afrikës, duke krijuar kushte ideale për festimin e Ditës së Punëtorëve në natyrë.
Temperaturat janë të larta për këtë periudhë të vitit: në mëngjes ato variojnë nga 6°C në zonat malore deri në 15°C në zonat bregdetare, ndërsa gjatë mesditës termometri pritet të ngjitet deri në 30°C në jug dhe në qendër të vendit.
Moti do të jetë kryesisht i kthjellët në të gjitha qarqet, pa reshje, me alternime të lehta vranësirash në zonat malore. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare me drejtim veriperëndimor dhe shpejtësi deri në 35 km/h, duke sjellë dallgëzim të ulët në bregdet.