Shqipëria, kampione e Europës në ndërtim – Ekonomia mbështetet mbi sektorë jo produktivë dhe burime informale

Shqipëria mban vendin e parë në Europë për peshën e ndërtimit në ekonomi, sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, ku ky sektor kontribuonte me 13.8% në vlerën e shtuar bruto, mbi dyfishin e mesatares së Bashkimit Europian (5.6%). Ky model zhvillimi, i përqendruar kryesisht në ndërtime dhe jo në sektorë prodhues, po shihet si një drejtim jo i qëndrueshëm për ekonominë shqiptare.
Pas viteve ’90, Shqipëria ka përjetuar rritje ekonomike me ritme të shpejta, por të paqëndrueshme, të mbështetura nga privatizimet, remitancat dhe ekonomia informale. Pas krizës së skemave piramidale në vitin 1997, vendi u rimëkëmb shpejt, një tipar që e ka ndjekur përgjatë dekadave, por që nuk ka sjellë struktura të qëndrueshme ekonomike.
Ndërkohë që pesha e bujqësisë ka rënë nga 32% e PBB-së në 1995 në 15.5% në vitin 2024, Shqipëria mbetet vendi më bujqësor në Europë, sipas Eurostat, me 18.6% të vlerës së shtuar bruto që vjen nga ky sektor – në një kohë kur BE ka mesatare vetëm 1.8%. Megjithatë, ky potencial nuk është shfrytëzuar për të zhvilluar një bujqësi konkurruese, pasi një pjesë e madhe e produkteve ushqimore sigurohet nga importi.
Industria gjithashtu mbetet e dobët, me vetëm 12.6% të vlerës së shtuar, ndër më të ulëtat në Europë. Sektorë si agropërpunimi dhe fasoneria po përballen me sfida të mëdha përballë tregjeve të hapura dhe rritjes së kostove të punës.
Një tjetër shqetësim është rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme, të cilat janë rritur 10 herë më shumë se pagat që nga viti 2014, duke e bërë pothuajse të pamundur për shtresën e mesme të blejë një banesë, ndërkohë që paga mesatare është rreth 770 euro.
Shqetësuese mbetet edhe prania e lartë e ekonomisë informale. Forcimi i Lekut, zhvlerësimi i Euros dhe mungesa e rritjes së eksporteve përkundrejt një deficiti tregtar rekord prej 5.7 miliardë eurosh në 2024, sugjerojnë qarkullim të lartë kapitalesh jo të deklaruara.
Investimet e Huaja Direkte, ndonëse në nivele rekord (1.58 miliardë euro në 2024), janë përqendruar kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe jo në sektorë me vlerë të shtuar, si industria apo teknologjia. Rreth 24% e tyre vijnë nga blerjet e të huajve në tregun e ndërtimit.
Ekspertët theksojnë nevojën për një riorientim të modelit ekonomik drejt sektorëve produktivë, rritjes së konkurrueshmërisë dhe formalizimit të ekonomisë, për të shmangur varësinë nga ndërtimi dhe remitancat, dhe për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse./ MONITOR