Më pak se 24 orë nga zgjedhjet/ KQZ: Kanë mbërritur mbi 180 mijë zarfe me votat e diasporës

Më pak se 24 orë nga hapja e qendrave të votimit ku shqiptarët do të zgjedhin përbërjen e Kuvendit të ardhshëm, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri sot, në orën 11:20, kanë mbërritur 180 144 zarfe me fletë votimi të dërguara nga votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, janë dërguar gjithsej 245 935 zarfe, nga të cilat janë marrë nga zgjedhësit 227 097, ndërsa 18 838 zarfe mbeten ende të pa tërhequra.
Italia kryeson listën e vendeve me numrin më të madh të zarfeve të kthyera me 71.180, e ndjekur nga Greqia me 44 315. Sa i përket ndarjes sipas qarqeve, Tirana është në krye me 40.085 zarfe, Fieri me 24.142 dhe Durrësi me 18.973.
KQZ kujton se çdo zarf që mbërrin pas orës 19:00 të datës 11 maj do të shpallet i pavlefshëm.
Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik në Tiranë, është vendi i përcaktuar për administrimin dhe përpunimin e këtij procesi.