Fier – Nis procesi i numërimit të votave në disa KZAZ, Balluku ndjek nga afër në Lushnje

Procesi i numërimit të votave ka nisur pas mesnate në disa KZAZ në qarkun Fier, ndërsa atmosfera mbetet e qetë dhe nën mbikëqyrje të rreptë të përfaqësuesve politikë dhe vëzhguesve.
Në KZAZ nr. 61 në Patos, numërimi ka nisur rreth orës 00:10, me grupet e numëruesve që kanë marrë në dorëzim kutitë dhe kanë filluar hapjen dhe verifikimin e fletëve të votimit.
Ndërkohë, në KZAZ nr. 55 në Lushnje, është e pranishme Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila po ndjek nga afër procesin e numërimit. Prania e saj sinjalizon rëndësinë e procesit dhe mbështetjen për zhvillimin e një procesi transparent dhe korrekt.
Në Bashkinë Fier, ku përfshihen KZAZ nr. 58, 59 dhe 60, pritet që procesi i numërimit të nisë brenda pak minutash. Të gjitha materialet zgjedhore janë dorëzuar dhe grupet e numëruesve janë në gatishmëri për të filluar punën. Situata është e qetë dhe nuk raportohen probleme logjistike apo të sigurisë.
Zhvillimet pritet të intensifikohen gjatë orëve në vijim, ndërsa vëmendja është e përqendruar në rezultatet paraprake që do të dalin nga këto zona kyçe të qarkut Fier.