Fier: Rifillon pas 9 orësh ndërprerjeje procesi i numërimit në KZAZ nr. 59

Fier, 12 maj 2025 – Pas një ndërprerjeje të pazakontë prej afro 9 orësh, procesi i numërimit të votave në KZAZ nr. 59 në Fier ka rifilluar në mbrëmje, rreth orës 19:45.
Numërimi ishte pezulluar që në orën 11:00 paradite, pas një vendimi të marrë nga komisionerët për të bërë një pushim dhe për të rifilluar në orën 18:00. Megjithatë, ky afat nuk u respektua dhe kutitë e votimit mbetën të pahapura për disa orë pas orarit të caktuar, çka shkaktoi shqetësim mes vëzhguesve dhe përfaqësuesve të partive politike.
Deri tani nuk ka një deklaratë zyrtare nga KQZ apo KZAZ mbi arsyet konkrete të vonesës. Prania e vëzhguesve dhe monitorimi nga afër mbetet i rëndësishëm për të garantuar transparencën dhe rregullsinë e procesit.
Procesi tashmë ka rifilluar dhe pritet që gjatë natës të vijojë me hapjen e kutive dhe numërimin e votave të mbetura.