PS fiton 12 mandate në Fier, Balluku: Fitore historike për ne, humbje historike për PD-në

Partia Socialiste ka siguruar 12 mandate në qarkun e Fierit, ndërsa Partia Demokratike ka arritur të marrë vetëm 4, sipas rezultateve të përfundimit të numërimit të kutive të votimit.
Drejtuesja politike e PS-së në këtë qark, Belinda Balluku, e cilësoi rezultatin si një fitore historike për forcën që ajo përfaqëson. Ajo vlerësoi se procesi i numërimit ka kaluar pa probleme dhe është zhvilluar në mënyrë të rregullt.
“Sapo mbaroi numërimi i kutisë së fundit në Fier. Gjithçka ka shkuar mirë. Kjo është e rëndësishme. Kemi pasur një proces model pa probleme dhe ndërprerje,” deklaroi Balluku.
Duke komentuar mbi rezultatet, ajo u shpreh se Partia Socialiste ka arritur mbi 63% të votave, ndërsa Partia Demokratike vetëm 25%. “PD mund të mbajë vetëm 4 mandate. Siç është fitore historike për ne, është edhe një humbje historike për ta,” tha ajo.
Balluku theksoi se mandati i 12-të i PS-së është ende i brishtë për shkak të ndikimit që mund të kenë votat e diasporës, por shtoi se pret që ai të konsolidohet pas hapjes së zarfeve të emigrantëve.
“Shpresoj që zarfat e Diasporës të hapen shumë shpejt. Ju e dini që fierakët, lushnjarë dhe një pjesë e mirë e mallakastriotëve ndodhen në Greqi, ndërkohë që në Divjakë dhe Roskovec kemi edhe banorë të Italisë. Kështu që me hapjen e zarfave të diasporës besoj se ai 65% do të thellohet dhe mandati i 12-të do të konsolidohet edhe më shumë,” përfundoi Balluku.