Fier – Qëlloi me a*më bashkëjetuesen, në lagjen “Sheq i Madh” Prokuroria çon për gjykim të pandehurin.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin Robert Kotsi, i akuzuar për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 79/c, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Sipas dosjes hetimore, më datë 29 korrik 2023, i pandehuri R.K. ka tentuar të vrasë me armë zjarri bashkëjetuesen e tij, shtetasen N.F., duke e qëlluar atë në bark pas një konflikti për kursimet familjare të mbledhura për vajzën e tyre të mitur.
Mësohet se konflikti kishte nisur disa ditë më parë, kur R.K. kishte konstatuar se shuma e parave në një kuti nuk përputhej me pritshmëritë e tij. Pas përshkallëzimit të situatës, N.F. ishte larguar nga banesa dhe ishte strehuar në shtëpinë e prindërve të saj.
Në përpjekje për ta bindur të kthehej, R.K. ka shkuar në banesën e familjes së saj, ku pas një debati verbal, e ka kërcënuar për jetën dhe më pas ka nxjerrë një armë pistoletë duke e qëlluar. Për fat të mirë, viktima ka mbijetuar dhe ka marrë trajtim mjekësor.




