Aksident në Fier – Autobus me shpejtësi përplaset me automjetin e Policisë Bashkiake, disa të lënduar

Një aksident rrugor është shënuar mëngjesin e sotëm në qytetin e Fierit, në vendin e njohur si “Ura e Sheqit”. Një autobus i linjës Libofshë–Fier është përplasur me një automjet të Policisë Bashkiake, duke shkaktuar disa të lënduar lehtë.
Sipas raportimeve paraprake, mes të dëmtuarve është edhe efektivi i Policisë Bashkiake, si dhe disa pasagjerë të autobusit. Të gjithë janë transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën mjekësore përkatëse.
Dyshohet se autobusi ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara, ka humbur kontrollin, ka hipur mbi rrethrrotullimin e Sheqit dhe më pas është përplasur me makinën e Policisë Bashkiake, duke përfunduar në murin rrethues të një ish-kompleksi dyqanesh.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.




