Fier – Tentuan të vri*nin me sopatë një 58-vjeçar pas një konflikti, arrestohet njëri nga autorët, tjetri në kërkim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Shtyllas të Fierit, ku një 58-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas një konflikti që dyshohet se ka nisur për motive të dobëta.
Sipas Policisë së Fierit, shtetasit Pashuk Paluca, 63 vjeç dhe djali i tij Ndue Paluca, 40 vjeç, kanë goditur me mjet prerës (sopatë) shtetasin Llesh Marku, 58 vjeç, i cili ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Falë reagimit të shpejtë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Fier, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i P. P., ndërsa po vijojnë intensivisht kërkimet për kapjen e të birit, N. P., i cili është shpallur në kërkim.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar sopatën që u përdor në sulm. Ndaj të dyshuarve rëndon akuza “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.