Shenjat e ekzemës/ Mjekët: Njolla të kuqe, kruarje dhe acarim të lëkurës

Me ardhjen e pranverës, mjekët dermatologë thonë se fillojnë dhe rastet me ekzemë, një sëmundje kronike e lëkurës që manifestohet me kruarje të forta, njolla të kuqe dhe acarim, shpesh më i theksuar gjatë natës.
Sipas mjekes dermatologe Entela Shkodrani, ekzema nuk është sëmundje ngjitëse, por ka një bazë gjenetike dhe kronike ndërsa thekson se trajtimet alternative pa përshkrim mjekësor mund të jenë të rrezikshme, veçanërisht për fëmijët
Me ardhjen e pranverës, përveç alergjive të zakonshme sezonale, vërehet një rritje e ndjeshme edhe e rasteve me ekzemë – një problem i shpeshtë i lëkurës që shkakton kruarje, skuqje dhe irritim të lëkurës.
‘’Pacientët me ekzemë në këtë moment do ndiejnë q lëkura e tyre ka nevojë për më shumë hidratim. Do shfaqen disa njolla të kuqe, do kruhen, do kruhen çik më shumë natën.
Dhe kjo është një periudhë normale sepse ekzema është një sëmundje kronike që ka fazën e vet të qetësimit’’.
Ekzema nuk është sëmundje ngjitëse, por ka një natyrë kronike dhe gjenetike, dhe mund të shfaqet në çdo moshë, me forma dhe lokalizime të ndryshme sipas grupmoshave.
‘’Ekzema në përgjithësi shfaqet kudo në çdo pjesë të trupit’’.
Mjekja dermatologe Entela Shkodrani thekson rrezikun e përdorimit të trajtimeve alternative pa recetë, të cilat shpesh reklamohen në farmaci apo internet, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijë.
‘’Në përgjithësi mjekimi alternativ i parë që japn farmacitë është mjekimi me pomadë dhe kremra me bazë kortizoni.
Mjekimi me këto kremra flas lokalisht ka kundër indikacione’’.
Mjekja këshillon që trajtimi i ekzemës të bëhet në mënyrë të kontrolluar dhe të personalizuar, duke shmangur vetë-mjekimin, për të garantuar një menaxhim të sigurt dhe efektiv të kësaj sëmundjeje kronike.