Zjarr në një banesë në Fier – Bombula e gazit merr flakë, një grua plagoset, evakuohen banorët e pallatit nga rreziku i një shpërthimi

FIER – Një ngjarje e rrezikshme është regjistruar mëngjesin e sotëm në lagjen Kastriot të qytetit të Fierit, ku është shmangur në kohë një tragjedi për shkak të një bombule gazi që ka marrë flakë në një apartament në katin e tretë të një pallati trekatësh.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, kur bombula ka marrë zjarr, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të zonjës së shtëpisë, flakët janë shuar në kohë. Megjithatë, ajo ka pësuar djegie në fytyrë dhe nuk ka mundur të mbyllë rubinetin, duke bërë që gazi të vijonte të rridhte në ambient.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën dy mjete zjarrfikëse, forcat e policisë dhe ambulanca. Zjarrfikësit ndërhynë duke shqyer dritaret për ajrosjen e ambientit, ndërsa u bë evakuimi i banorëve të pallatit për shkak të rrezikut të shpërthimit nga grumbullimi i gazit. Policia njoftoi edhe drejtuesit e automjeteve që të mos i ndiznin makinat, pasi në zonë kishte përhapje të fortë të gazit.
Pas ndërhyrjes me kundragaz, forcat zjarrfikëse arritën të largojnë bombulën dhe të sigurojnë plotësisht ambientin.
Gruaja e dëmtuar u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ka marrë plagë djegieje në fytyrë.
Fatmirësisht, falë reagimit të shpejtë të saj dhe të shërbimeve të emergjencës, u shmang një ngjarje me pasoja të rënda për jetën dhe pronën. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit.