Fier – Finalizohet me sukses operacioni “Implicazione”, arrestohen dy vëllezër për kanabis dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Fierit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni i koduar “Implicazione” çoi në arrestimin e dy vëllezërve, banues në fshatin Ngjeqar, të cilët akuzohen për kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike, si dhe për mbajtje të armëve të zjarrit pa leje.
Të arrestuarit janë shtetasit Kosta Shabanaj, 47 vjeç dhe Elton Shabanaj, 26 vjeç. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, E. Sh. tentoi të largohej me vrap, por u kap menjëherë falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të Forcës së Posaçme.
Nga kontrolli fizik, atij iu gjetën doza kanabisi të gatshme për shitje, ndërsa nga kontrolli në banesën e tyre u sekuestruan 2 armë zjarri automatikë, 3 krehra, një thikë, sasi lënde narkotike, 200 fara kanabisi dhe 179 fidanë kanabisi të mbjellë në kubikë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.
Policia e Fierit siguron se do të vijojë goditjen pa kompromis të veprimtarive kriminale në të gjithë qarkun.