“Së shpejti” – Kryebashkiaku i Patosit, Fation Duro, prezanton tre projekte 3D brenda 48 orëve

Patos, 6 Qershor 2025 – Kryetari i Bashkisë Patos, Fation Duro, ka publikuar brenda vetëm dy ditësh tre projekte të reja infrastrukturore, të paraqitura me pamje 3D dhe të shoqëruara me mbishkrimin tashmë të përsëritur: “Së shpejti”.
Projekti i parë ka të bëjë me ndërtimin e rrugës së Kripallarëve, një segment i rëndësishëm për zonën. Tjetri është rindërtimi i shkollës “Sotir Çapo” në Zharrëz, ndërsa i treti synon transformimin urban të lagjes “1 Maji”, ku përfshihen hapësira çlodhëse, kënde lojërash dhe ndriçim modern.
Pamjet e publikuara tregojnë standarde të larta urbanistike dhe ambicie për zhvillim modern të qytetit. Megjithatë, qytetarët dhe opinionistët lokalë po shtrojnë pyetjen legjitime: Kur do të nisin dhe kur do të përfundojnë realisht këto projekte?
Në mungesë të afateve zyrtare dhe detajeve mbi financimin apo procedurat e ndërtimit, për momentin projektet mbeten në fazën konceptuale. Megjithatë, mesazhi i përsëritur “Së shpejti” nga kryebashkiaku Duro synon të krijojë optimizëm dhe pritshmëri pozitive tek banorët e Patosit.
Kjo ka ngjallur edhe reagime ironike në rrjet, ku disa qytetarë komentojnë se “për momentin, gjithçka zhvillohet më shpejt në kompjuter se në terren”, ndërsa të tjerë përgëzojnë kryebashkiakun për vizionin dhe transparencën dixhitale.
“Së shpejti” duket se është kthyer në sloganin e preferuar të bashkisë, por qytetarët presin me interes që ky “së shpejti” të zbresë nga ekranet dhe të shndërrohet në realitet të prekshëm në rrugët dhe lagjet e Patosit.

- FIERI WEB




