Bulqizë – 27-vjeçari gjendet i gjallë dy ditë pas aksidentit, brenda makinës së përmbysur në zall

Bulqizë, 6 Qershor 2025 – Një ngjarje e jashtëzakonshme ka ndodhur në zallin e Bulqizës, pranë urës së Çeranecit, ku një 27-vjeçar është gjetur i gjallë brenda një automjeti të aksidentuar, dy ditë pas ngjarjes.
I riu dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit në aksin rrugor Bulqizë–Peshkopi dhe për pasojë automjeti ka përfunduar në shtratin me zall të lumit. Ai ka qëndruar i plagosur dhe i bllokuar brenda makinës për dy ditë, deri kur është zbuluar nga disa fëmijë të zonës që po laheshin pranë vendngjarjes. Fëmijët kanë njoftuar banorët, të cilët kanë lajmëruar menjëherë ambulancën dhe shërbimet e emergjencës.
27-vjeçari është nxjerrë nga mjeti dhe është dërguar me urgjencë në spitalin e Bulqizës, ku po merr ndihmën mjekësore të nevojshme. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore në detaje.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit, ndërsa autoritetet vlerësojnë ndërhyrjen e shpejtë të banorëve që ndihmuan në shpëtimin e të riut.