70 mijë aplikime për subvencione në bujqësi, Kuçi: Brenda 20 ditëve publikohet lista e përfituesve

70 mijë fermerë në shkallë vendi, kanë aplikuar në thirrjen e Skemës Kombëtare të mbështetjes në bujqësi 2025, ku pjesa më e madhe e tyre kërkon të subvencionohet për naftën falas. Rrethe 75,7% e fermerëve, për të ulur kostot e prodhimit, kërkojnë që tokën ta punojnë me naftë pa taksa.
Ardita Kuçi, drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në një intervistë për mediet tha se, “masa me më shumë aplikime, sikundër edhe vitin e shkuar, është masa për mbështetje me naftë për punimet me mekanizëm në bujqësi, e cila numëron rreth 53.000 aplikime. Kjo tregon se fermerët e konsiderojnë mbështetjen dhe lehtësimin e kostove të prodhimeve bujqësore si një mbështetje të domosdoshme për të rritur produktivitetin në fermë.”
Gjithashtu interes të shtuar për aplikime ka pasur edhe masa për blegtorinë. “Ndërsa vitin e shkuar kemi pasur 9.200 aplikime, këtë vit kemi 10.100 aplikime”, tha Kuçi.
Ajo bëritë ditur se, tashmë që aplikimet kanë përfunduar, më 30 maj, inspektorët e agropikave janë në terren për të bërë verifikimet.
“Brenda 20 ditësh do të publikohet në faqen e AZHBR-së lista e përfituesve. Nga kjo listë, të gjithë fermerët që kanë mungesë dokumentacioni kanë në dispozicion një afat 30-ditor për të plotësuar dokumentet, të cilat do t’i dorëzojnë në agropika”, deklaroi Kuçi.
Skemës Kombëtare të mbështetjes në bujqësi 2025, adreson 4,4 miliardë lekë financim për fermerët përfitues.