Itali – 59-vjeçari Shqiptar plagoset rëndë me armë zjarri teksa lëvizte me biçikletë në Fontaniva

Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e 8 qershorit qytetin Fontaniva, në provincën e Padovës, Itali. Një shtetas shqiptar, Fatos Cenaj, 59 vjeç, mbeti i plagosur rëndë nga një e shtënë me armë zjarri, teksa po udhëtonte me biçikletë në zonën via Casoni.
Fillimisht, autoritetet italiane dyshuan se bëhej fjalë për një aksident rrugor, por shpejt mjekët e urgjencës konstatuan se plaga në fytyrë ishte shkaktuar nga plumb arme zjarri.

Cenaj u transportua me urgjencë drejt spitalit dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e Karabinierisë, të cilat izoluan zonën dhe nisën hetimet.
Autoritetet po hetojnë të gjitha pistat, duke mos përjashtuar një atentat nga një automjet në lëvizje, por edhe një të shtënë aksidentale nga ndonjë banesë aty pranë.
Hetuesit janë duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarët për të zbardhur sa më shpejt këtë ngjarje misterioze që ka tronditur komunitetin lokal.