Fier – Procedime penale për baste sportive, zjarrvënie, ndërtim pa leje dhe një rast vetëvrasjeje

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka referuar disa materiale procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për ngjarje të ndodhura në disa bashki të qarkut, që lidhen me vepra penale të ndryshme.
Në Lushnjë, janë proceduar penalisht shtetasit D. H., 47 vjeç dhe L. K., 22 vjeç, banues në Kolonjë, të cilët dyshohet se ushtronin aktivitet të paligjshëm të basteve sportive, përmes celularëve të tyre.
Në Mallakastër, është nisur procedim penal ndaj shtetasit K. M., për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, pasi dyshohet se ka kryer ndërtime pa lejen përkatëse.
Në Divjakë, është proceduar penalisht shtetasi I. Q., 53 vjeç, banues në fshatin Mërtish, pasi dyshohet se zjarri i ndezur prej tij për djegien e mbeturinave në tokën personale, ka dalë jashtë kontrollit duke dëmtuar sipërfaqe toke në pronësi të shtetasve të tjerë.
Ndërkohë, në Fier, janë referuar materialet për vlerësim në Prokurori për një ngjarje të rëndë të ndodhur në fshatin Levan, ku shtetasi A. Th., 65 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i dytë i banesës së tij. Paraprakisht dyshohet se ai kishte probleme të shëndetit mendor. Për pasojë, ai ndërroi jetë në spital.
Policia njofton se të gjitha materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme procedurale.