Furgoni me pasagjerë aksidentohet me “Benz”-in në aksin Fier-Lushnjë/ Shtatë të lënduar, tre në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në autostradën Fier-Lushnjë, në afërsi të fshatit Saver, ku janë përfshirë dy automjete.
Të plagosur kanë mbetur 7 persona, prej të cilëve 3 ndodhen në gjendje të rënduar shëndetësore.
Sipas informacioneve paraprake, një furgon tip “Benz”, që transportonte pasagjerë drejt Aeroportit të Rinasit me drejtues Dane Toska 55 vjeç, është përplasur nga pas nga një automjet tip Benz AMG 63, drejtuar nga 24 vjeçari Kleo Ejbea nga gjatë një parakalimi.
Pas përplasjes së fortë, automjeti AMG 63 është përfshirë nga flakët. Të plagosurit janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lushnjes, ku po marrin trajtim të specializuar.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit.
Njofrim i Policisë Fier:
Lushnjë/Informacion paraprak
Rreth orës 03:30, në aksin rrugor “Fier-Lushnjë” automjeti me drejtues shtetasin K. E., 24 vjeç, banues në Fier, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin D. T., 55 vjeç, banues në Fier.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar tre pasagjerët e automjetit që drejtohej nga shtetasi D. T., shtetasi G. K., 68 vjeç, shtetasja S. J., 44 vjeçe dhe shtetasja O. K., 54 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, si pasojë e përplasjes, automjeti me drejtues shtetasin K. E., ka dalë nga rruga dhe ka marrë flakë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.