Tragjedi e shmangur në Levan-Tepelenë: Përfshihet nga flakët automjeti, shpëton mrekullisht një familje me dy fëmijë

Një ngjarje e rëndë, por me fat të madh, ndodhi këtë të diel në aksin nacional Levan-Tepelenë, në vendin e quajtur kthesa e Fratarit, ku një automjet tip Mercedes-Benz u përfshi nga flakët në ecje. Brenda mjetit ndodheshin një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre të vegjël, të cilët fatmirësisht shpëtuan pa lëndime.

Sipas dëshmive, shoferi i mjetit ka dëgjuar një plasje të fortë në pjesën e poshtme të makinës, çka e ka detyruar të ndalojë menjëherë në anë të rrugës. Me refleks të shpejtë, ai ka nxjerrë menjëherë nga mjeti fëmijët dhe bashkëshorten, vetëm pak çaste para se makina të përfshihej totalisht nga flakët.

Në vendngjarje mbërriti zjarrfikësja, e cila bëri të mundur shuarjen e zjarrit, por automjeti u shkrumbua tërësisht. Për disa minuta, rruga kombëtare u bllokua, duke shkaktuar radhë të gjata dhe panik mes drejtuesve të tjerë të automjeteve.
Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një defekt teknik, ndërsa grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes. Falë reagimit të menjëhershëm të shoferit, tragjedia u shmang dhe jeta e katër personave u shpëtua.