Automjeti i shkatërruar – Aksident i rëndë në Fier, tre të mitur përfundojnë në spital

Fier – Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:00, në aksin rrugor Fier-Ballsh, në afërsi të fshatit Plyg.
Sipas informacioneve paraprake, një 15-vjeçar, banues në fshatin Mbyet, duke drejtuar një automjet, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur tre të mitur: drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerë, të moshës 13 dhe 14 vjeç, gjithashtu banues në Mbyet. Të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Pamjet nga vendngjarja të siguruara nga Fieri Web tregojnë një automjet tërësisht të shkatërruar, i cili është tërhequr nga vendi i ngjarjes me ndihmën e një vinçi.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.




