Gjirokastër/ Operacion kundër pasurive të krimit të organizuar – Vihet sekuestro mbi pasuri të shumta të një 45-vjeçari të dyshuar për trafik dr*ge

Policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ka finalizuar një operacion të suksesshëm kundër pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Në kuadër të një procedimi pasuror të ndjekur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, është vendosur sekuestro preventive mbi pasuritë e shtetasit K. B., alias S. B., 45 vjeç, banues në fshatin Valare, Gjirokastër, i dyshuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që vepron në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
- Një lokal bar-kafe dhe hotel katërkatësh, në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër;
- Një ndërtesë dykatëshe me papafingo (393.3 m² truall, 131.1 m² ndërtim), në fshatin Valare;
- Një ndërtesë tjetër dykatëshe, me sipërfaqe 235 m², në po të njëjtin fshat;
- Një truall i destinuar si servis makinash, me sipërfaqe 1216 m² dhe ndërtim 276 m², në lagjen “Grehot”;
- Një ndërtesë-lokal prej 30 m², gjithashtu në lagjen “Grehot”;
- Një automjet tip “Audi Q7”;
- Si dhe 8 automjete të tjera, në pronësi të 45-vjeçarit dhe të familjarëve të tij, për të cilat po punohet për identifikimin dhe sekuestrimin e plotë.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia dhe Prokuroria vijojnë punën për goditjen e krimit të organizuar dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.





