VLORË – Arrestohet 58-vjeçari për shitje dr*ge, i sekuestrohet një armë pa leje

Policia e Vlorës ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytet, ku në pranga ka rënë një 58-vjeçar me precedent penal në fushën e krimeve kundër personit.
Shtetasi Gj. C. (F), banues në lagjen “10 Korriku”, u kap në flagrancë teksa posedonte doza me lëndë narkotike të dyshuara si kokainë dhe kanabis. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan gjithashtu një peshore elektronike dhe një armë sportive (pistoletë), të cilën ai e mbante pa leje.

Nga hetimet paraprake dyshohet se 58-vjeçari shpërndante lëndë narkotike në zona të ndryshme të qytetit, kryesisht në zonat urbane dhe turistike.
Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u arrestua për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës thekson se kontrollet intensive do të vijojnë në gjithë territorin, me qëllim garantimin e sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.




