Bankers përpiqet të mbulojë skandalin: Me deklarata bombastike, kompania shmang akuzat për vjedhje dhe mashtrime tatimore

Fier, 3 Korrik 2025 – Pas urdhrit të Gjykatës së Fierit për 14 masa sigurie ndaj drejtuesve dhe ish-drejtuesve të Bankers Petroleum Albania, kompania ka publikuar një deklaratë zyrtare ku mundohet të zhvendosë vëmendjen nga hetimet për mashtrim dhe shmangie të detyrimeve tatimore, duke renditur investime dhe kontribute në ekonomi.
Në vend që të sqarojë konkretisht akuza serioze që lidhen me deklarime fiktive humbjesh për më shumë se 20 vite, kompania liston se ka investuar 4.5 miliardë dollarë në Shqipëri, ka dhënë 730 milionë dollarë në rentë minerare dhe ka krijuar mbi 1,500 vende pune.
Megjithatë, e vërteta ligjore flet ndryshe: Prokuroria e Fierit akuzon kompaninë për falsifikim bilancesh dhe shmangie tatimi, ndërsa hetimet flasin për një skemë që ka dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit. Sipas burimeve, vetëm nga rimbursimet e TVSH-së që pretendohet se i takojnë kompanisë, bëhet fjalë për mbi 36 milionë dollarë, shifër që tashmë po hetohet për bazueshmërinë e saj.
Deklarata e Bankers përmend një “përfaqësues të lartë” që do të caktohet për të bashkëpunuar me autoritetet, por nuk përfshin asnjë ndjesë publike, as sqarim për shkeljet e pretenduara nga organet ligjzbatuese.
Kompania e naftës, që operon në vend prej vitit 2004, ndodhet aktualisht nën presion të madh publik dhe ligjor. Pavarësisht përpjekjeve për të paraqitur një imazh korrekt dhe partneriteti afatgjatë me Shqipërinë, hetimet po zbulojnë një realitet të zymtë të abuzimeve sistematike me financat dhe pasuritë publike.
Deklarate e plotë e Bankers për mediat:
NJOFTIM PËR MEDIAT
BANKERS PETROLEUM LTD.
BANKERS PETROLEUM ALBANIA LTD.
3 Korrik 2025
Për njëzet e një vjet, Bankers Petroleum Albania (BPAL) ka qëndruar krah për krah me Shqipërinë në fuqizimin e së ardhmes së saj energjetike. Që prej vitit 2004, operacionet tona kanë sjellë vlera të prekshme: kemi investuar 4.5 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare; kemi siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto; dhe kemi mbështetur më shumë se 1,500 familje lokale përmes punësimit cilësor. Jemi krenarë në mënyrë të përulur që kemi kontribuar me 730 milionë dollarë në rentën minerare (68.9% e totalit të Shqipërisë) për zhvillimin e sektorit energjetik, 40 milionë dollarë për mbrojtjen e mjedisit dhe 10 milionë dollarë për forcimin e komuniteteve – një trashëgimi që e konsiderojmë të shenjtë. Ndërkohë, kompania vazhdon të ketë të pashlyera pranë autoriteteve tatimore, rimbursime të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në vlerën mbi 36 milionë USD.
Që pas blerjes nga aksionerët e mëparshëm në vitin 2016, ekipi ynë i ri drejtues ka integruar ndershmërinë në çdo aspekt të operacioneve të BPAL. Kemi dëshmuar angazhimin tonë ndaj partneritetit përmes prokurimeve më transparente, përputhshmërisë më rigoroze me ligjet dhe uljes së ndjeshme të mosmarrëveshjeve.
Në përgjigje të hetimeve të fundit rregullatore, BPAL dhe kompania jonë mëmë, BPL, janë të përkushtuara të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet shqiptare. Jemi në proces të emërimit të një përfaqësuesi të lartë për të garantuar një bashkëpunim të plotë dhe transparencë operacionale. Respektojmë dhe mbështesim të gjitha masat ligjore për të ruajtur standardet rregullatore dhe të integritetit në Shqipëri. Deri më tani, operacionet tona mbeten të qëndrueshme, ekipi ynë bazë është i plotë dhe aktivitetet tona të përditshme vazhdojnë pa ndërprerje të mëdha.
Jemi të përkushtuar të vazhdojmë të shërbejmë klientët dhe partnerët tanë. Duke parë përpara, BPAL mbetet e vendosur në qëllimin e saj për të garantuar stabilitetin energjetik të Shqipërisë përmes operacioneve të besueshme, thellimit të rrënjëve në punësimin lokal dhe investimeve në komunitet, si dhe duke nderuar besimin që Shqipëria na ka dhënë që prej vitit 2004.
Ne ecim përpara me përkushtim për të përmbushur përgjegjësitë tona ndaj Shqipërisë me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të vazhdueshme.
Bankers Petroleum Ltd.
Bankers Petroleum Albania Ltd.




