Këmbësori përplaset nga makinë në vijat e bardha në Fier, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Fier – Një aksident është regjistruar mesditën e sotme në rrugën “Kastriot Muço”, ku një këmbësor është përplasur nga një automjet në momentin që po kalonte në vijat e bardha. Ngjarja ka ndodhur pranë një zone të frekuentuar, ndërsa drejtuesja e mjetit është një femër.
Sipas burimeve paraprake, këmbësori ka dalë papritur nga pas koshave të mbeturinave që ishin vendosur pikërisht mbi vijat e bardha, duke i kufizuar kështu fushëpamjen drejtueses së automjetit. Si pasojë, drejtuesja e mjetit është përballur papritur me këmbësorin, duke mos pasur kohë për të shmangur përplasjen.
Policia rrugore dhe autoambulanca kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Këmbësori është transportuar në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia po heton shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa një nga pistat kryesore është mungesa e dukshmërisë për shkak të vendosjes së gabuar të koshave të mbeturinave mbi kalimin për këmbësorë.




