Evazioni fiskal te Bankers, 8 orë seancë në Gjykatën e Fierit! Lihen në burg CEO kinez dhe ish-drejtori! Konfirmohen masat dhe për 7 të tjerët

FIER– Pas një seance maratone prej 8 orësh, Gjykata e Fierit ka lënë në burg CEO-n kinez të kompanisë Bankers, Hong Ping Xiao, dhe ish-CEO Leonidha Çobo. Po ashtu, gjyqtarja Gladiola Bregu konfirmoi masat e sigurisë edhe për 7 persona e tjerë, punonjës të sektorit Financiar dhe të departamentit Juridik.
Seanca maratonë nisi në orën 09:00 të mëngjesit dhe zgjati deri në 17:30, ku kryeprokurori i Fierit, Elion Mustafaj ka paraqitur fillimisht kërkesën për caktim të masave të sigurisë, e cila përmbante një material voluminoz prej 120 faqesh. Më pas, të gjitha palët kanë dhënë pretendimet e tyre, ndërsa burime për Fieri Web bëjnë me dije se të gjithë të akuzuarit janë shprehur se janë të pafajshëm, duke pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga Prokuroria e Fierit për pastrim parash apo shpërdorim detyre.
Në përfundim të seancës gjyqësore të zhvilluar paraditen e sotme, u vendosën këto masa sigurie:
- H.Z. – Arrest me burg, për shkak të dyshimeve të forta mbi rolin kyç në skemën e hetuar.
- L.C. – Arrest me burg, për përfshirje në administrimin e kompanisë dhe veprime të dyshuara të kundërligjshme.
- L.W. – Arrest në shtëpi, nën hetim për shkelje financiare të konstatuara gjatë kontrollit.
- A.K. – Arrest në shtëpi, për bashkëpunim në veprime që kanë ndikuar në shmangien e detyrimeve tatimore.
- F.C. – Arrest në shtëpi, në pritje të zbardhjes së rolit të tij në skemën e dyshuar.
- K.Xh. – Arrest në shtëpi, për veprimtari të dyshuar financiare në bashkëpunim me subjektin.
- M.F. – Detyrim paraqitje pranë Policisë Gjyqësore, për mbikëqyrje të veprimtarisë.
- M.I. – Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, për të shmangur çdo tentativë largimi.
- (Një tjetër shtetas) – Detyrim paraqitje në gjykatë dhe ndalim daljeje jashtë shtetit, me masë të butë në pritje të verifikimeve të mëtejshme.
Të parët që mbërritën në sallën e gjyqit ishin CEO dhe ish-drejtori Çobo, të cilët u sollën në ambientet e gjykatës me një furgon të policisë. Fieri Web arriti të zbardhë edhe mbrojtjen e ish-drejtorit Çobo, i cili pretendon se periudha e hetuar nga Prokuroria e Fierit, i referohet viteve 2018 e në vijim, kur Çobo nuk ka më pasur asnjë funksion në kompani.
Në mbrojtjen e tij theksohet se Çobo është hetuar në vitin 2020-2021 nga Prokuroria Fier për veprimet e administrimit të kompanisë Bankers, procedim i regjistruar mbi bazën e kallëzimet penal të vet Bankers, pas ndryshimit të pronësisë në vitin 2018, për shpërdorim të kompetencave të administratorit, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, korrupsion në sektorin privat. Avokati tha se ky hetim është pushuar nga Gjykata e Fierit me kërkesë të vetë prokurorisë dhe është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë Gjykatën e Lartë.
Avokatit Maksim Sota tha se çdo pretendim për fshehje të të ardhurave gjatë periudhës kur administrimi i Bankers është kryer nga Çobo, është trajtuar nga Gjykata e Arbitrazhit në Paris, duke theksuar se po i dëmtohet imazhi me akuza të padrejta.
“Çobo është hetuar në vitin 2020-2021 nga Prokuroria Fier për veprimet e administrimit të kompanisë Bankers, procedim i regjistruar mbi bazën e kallëzimet penal të vet Bankers, pas ndryshimit të pronësisë në vitin 2018, për shpërdorim të kompetencave të administratorit, vjedhje duke shpërdoruar detyrën, korrupsion në sektorin privat, etj, duke kërkuar në përfundim të hetimeve pushimin e procedimit. Kërkesa e prokurorisë është pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier dhe është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit dhe nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë”, tha mbrojtja e Çobos në sallën e gjyqit.
Në total, Gjykata e Fierit lëshoi 14 masa sigurie, ku 9 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa 5 punonjës janë ende në kërkim. Hetimet për Bankers janë zhvilluar nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me strukturat tatimore dhe policore, dhe lidhen me dyshime për deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë masive. Prokuroria e Fierit ngriti 5 akuza në total, “Krijim i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje e të ardhurave”, “Pastrim i produkteve të veprës penale”, “Shpërdorim detyre” dhe “Moskryerje e detyrave nga organet tatimore”, duke argumentuar se ka grumbulluar prova të mjaftueshme.
Aksioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend. “Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.




