Pas ‘valës’ së dorëheqjeve, kryeministri Rama ‘zbarkon’ sërish në bashkinë e Vlorës! ‘Inspekton’ porositë e lëna

Rama do të mbajë një tjetër takim në bashkinë e Vlorës, pak ditë pas kritikave që çoi në dorëheqjen e drejtorëve të këtij institucioni. Kryeministri sapo ka mbërritur në bashki. Ndërkohë, bashkia ka vijuar me aksionin për lirimin e hapësirave publike.
Pak ditë pas takimit që ‘shkundi’ bashkinë e Vlorës, kryeministri Edi Rama rikthehet këtë të hënë në qytetin bregdetar për të inspektuar porositë e lëna. Kreu i qeverisë sapo ka mbërritur në bashki, ndërkohë që forca të shumta policie dhe garda kanë marrë masat që prej orës 08:00.
Kreu i qeverisë është pritur nga kryebashkiaku Ermal Dredha ndërsa shoqërohet nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu dhe drejtuesi politik i PS për Vlorën, Bledi Çuçi.
Një ditë pas vizitës së tij, dhanë dorëheqjen 21 drejtorë të këtij institucioni. Kreu i qeverisë kërkoi një analizim, dhe la afat deri më 15 korrik që të jenë zgjedhur të gjithë drejtuesit e rinj të institucionit. Ditët e fundit, Rama ka shtuar kritikat dhe ka paralajmëruar masa nëse nuk do të lirohen hapësirat publike në Vlorë e qytete të tjera.
Ndërkohë, aksioni i bashkisë Vlorë për lirimin e hapësirave publike është zhvilluar me intensitet edhe gjatë natës. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara, shëtitorja bregdetare “Lungomare” është kthyer në epiqendrën e këtij operacioni, ku vihet re një prani e konsiderueshme e zyrtarëve dhe drejtuesve të Bashkisë së Vlorës.
Vetëm pak orë më parë, gjatë ditës së dielë, kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, bëri një paralajmërim të prerë për të gjithë subjektet private që kanë zaptuar hapësirat publike. Ai deklaroi se nuk do të ketë më asnjë tolerim për bizneset që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, sidomos në zonat e dedikuara për këmbësorë.
Nga terreni duket qartë se aksioni nuk po kufizohet vetëm në orët e ditës, por po vijon me ritme të larta edhe gjatë natës, duke zgjatur deri në orët e para të mëngjesit. Ky operacion, sipas Bashkisë së Vlorës, synon t’i kthejë qytetit dhe banorëve hapësirat publike të uzurpuara prej vitesh, veçanërisht përgjatë bregdetit që gjatë sezonit veror frekuentohet masivisht nga pushues vendas dhe të huaj.
“Ka vijuar përgjatë gjithë ditës së djeshme, deri pas mesnate, aksioni i ekipeve të Policisë Bashkiake dhe IMT-së, për lirimin e hapësirave publike nga zaptimi i papranueshëm! Ambientet e përbashkëta i përkasin komunitetit dhe ndaj kujtdo që do t’i trajtojë si të tijat, do të merren masa që shkojnë edhe përtej gjobave që janë vënë gjatë këtyre orëve!”, thotë kryebashkiaku Dredha.
Lajm ne perditesim…




