Babai ab*zoi me vajzën 12-vjeçare/ Familja e 7 fëmijëve në Sheqisht të Fierit në nevojë ekstreme – Bashkia jep bonus, por kërkohet mbështetje urgjente nga bizneset, shoqatat dhe qytetarët

Pas tragjedisë së rëndë që tronditi Fierin, ku një vajzë 12-vjeçare akuzoi të atin për abuzim seksual, komuniteti dhe institucionet vendase janë mobilizuar për të ndihmuar familjen Meta nga fshati Sheqishtë.
Gazetarët e Fierit, të parët që u përballën nga afër me situatën e rëndë të kësaj familjeje, kanë ndërmarrë nismën e parë konkrete për ndihmë, duke çuar pako ushqimore në banesën ku aktualisht strehohen nëna me fëmijët e tjerë të mitur. Ndihma e tyre është bërë nëpërmjet Shoqatës së Gazetarëve Europian Dega Fier, e cila ka reaguar menjëherë pas publikimit të rastit. Ndërsa një biznes vendas iu bashkua menjëherë thirrjes për ndihmë.
Xhemal Ruko, gjyshi i vajzës dhe babai i Zamir Metës, ka kërkuar ndihmë dhe një zgjidhje të qëndrueshme për të bijën dhe nipërit e mbesat e tij. Ai ka falënderuar gazetarët për kontributin, duke bërë apel që edhe të tjerë të solidarizohen me familjen:
“Nuk e dija se sa e rëndë ishte gjendja e vajzës sime dhe fëmijëve të saj. Faleminderit të gjithëve që po ndihmojnë”, u shpreh ai ndër të tjera.
Nga ana tjetër, Bashkia e Fierit është vënë në lëvizje për të përshpejtuar të gjitha procedurat për dhënien e bonusit të qirasë dhe një ndihme financiare prej 200.000 lekësh të reja. Edhe pse këto janë procedura standarde për familjet në nevojë, rasti i familjes Meta konsiderohet emergjent, ndaj Bashkia po vepron me urgjencë për ta sistemuar familjen në një banesë me kushte më të përshtatshme.
Ndërkohë, administrata e bashkisë së Fierit ka ndërmarrë një nismë për grumbullimin e ndihmave ushqimore përmes një fondi vullnetar, ndërsa shoqatat dhe organizatat civile janë ftuar të kontribuojnë për këtë kauzë humane.
Kujtojmë se Zamir Meta, kryefamiljari, ndodhet në burg që prej të dielës së kaluar, pasi është arrestuar pas denoncimit të vajzës së tij për abuzim seksual. Ai ka pranuar autorësinë e aktit monstruoz dhe vajza aktualisht ndodhet në një qendër shtetërore për trajtim dhe mbrojtje të të miturve.
Apeli i gjyshit Xhemal Ruko dhe i të gjithë atyre që janë përfshirë në ndihmë, është që bizneset, shoqatat dhe individët të japin kontributin e tyre, sepse ndihma që ai apo familjarët e tjerë mund t’i japin Juelës dhe fëmijëve të tjerë, është e pamjaftueshme përballë nevojave të shumta që ka kjo familje.
✅ Nevojat më urgjente të familjes:
- Ushqime bazë për fëmijët
- Veshje për të vegjlit
- Pampersa dhe qumësht për foshnjën 1-vjeçare
- Ndihmë ekonomike për shpenzime të përditshme
- Mbështetje me mobilje dhe pajisje sapo të sigurohet banesa
Ky është një apel i hapur për çdo qytetar me zemër, çdo shoqatë bamirësie dhe çdo biznes që mund të japë një ndihmë sado të vogël.
Çdo kontribut është i domosdoshëm dhe mund të bëjë diferencën për këta fëmijë që sot përballen me vështirësi ekstreme.
Për më shumë informacion dhe për të ndihmuar drejtpërdrejt, mund të kontaktoni strukturat vendore ose gazetarët lokalë që po ndjekin nga afër situatën. /FIERIWEB.COM





