Darëzezë, Fier — Policia liron hapësira publike në plazh, sekuestrohen 90 komplete çadra dhe shezlongë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik dhe Policinë Bashkiake, kanë ndërmarrë kontrolle intensive në zonat urbane dhe bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa autorizim.
Gjatë kontrolleve në zonën e plazhit të Darëzezës, u konstatua se në një stacion plazhi ishin vendosur pa leje rreth 90 komplete me çadra dhe shezlongë, të cilat u sekuestruan menjëherë.
Si rezultat i këtij operacioni, u procedua penalisht pronari i subjektit, shtetasi D. M., 26 vjeç, për veprat penale:
- “Pushtimi i tokës”,
- “Fshehja e të ardhurave”,
- dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i pa pajisur me kasë fiskale”.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Fierit, ndërsa kontrollet në terren do të vijojnë në ditët në vijim, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe respektimit të ligjit në hapësirat publike dhe bregdetare.




