Sarandë – Spektakël ndjekjeje në rrugën “Butrinti”: Tentoi t’i shpëtonte ndalimit duke u hedhur në det, por kapet nga policia, sekuestrohet armë zjarri.

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Butrinti” në Sarandë, ku një aksion policor mori përmasa spektakolare.
Sipas burimeve zyrtare, policia ndaloi një automjet luksoz tip Porsche Panamera, brenda të cilit ndodheshin disa persona. Në momentin e kontrollit, njëri prej tyre u largua me vrap dhe u hodh në det, duke tentuar t’i shpëtonte ndalimit.
Gjatë ndjekjes, ai braktisi një çantë që mbante me vete, e cila u gjet më vonë nga polumbarët në fund të detit. Brenda saj u sekuestrua një armë zjarri.
Personi u kap pak minuta më vonë nga Policia Kufitare me ndihmën e një skafi dhe u nxor në shëtitore, për t’u shoqëruar më pas në Komisariatin e Policisë Sarandë. Bashkë me të janë ndaluar edhe tre persona të tjerë nga Tirana, që ndodheshin në automjetin luksoz.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rolit të secilit prej të ndaluarve. Detaje të tjera priten në vijim.




