VLORË – Arrestime, procedime penale dhe hetime për ngjarje të ndryshme në Sarandë, Delvinë dhe Vlorë

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka vijuar punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, duke dokumentuar dhe referuar në Prokurori disa ngjarje të ndodhura ditët e fundit në territorin e qarkut.
Në Sarandë, u arrestua në flagrancë shtetasi E. N., 26 vjeç, pasi më 16 korrik, rreth orës 16:10, në lagjen nr. 4, pas një konflikti me ish-bashkëshortin e motrës së tij, shtetasin K. B., 44 vjeç, e goditi këtë të fundit me mjet prerës duke i shkaktuar dëmtime trupore. I plagosuri mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi N. Q., 26 vjeç, pasi më 15 korrik, në lagjen nr. 1, shkaktoi zhurma shqetësuese me motomjetin e tij, duke prishur qetësinë publike.
Në Delvinë, u arrestua në flagrancë shtetasi K. R., 52 vjeç, banues në fshatin Bamatat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij.
Ndërkohë, në Vlorë, u proceduan penalisht shtetasit A. S., 55 vjeç, dhe R. S., 54 vjeç, për një konflikt fizik të ndodhur më 16 korrik në banesën e tyre për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësie.
Po ashtu, është shpallur në kërkim shtetasi E. H., 32 vjeç, pas kallëzimit të bashkëjetueses së tij për dhunë fizike dhe psikologjike.
Policia njofton gjithashtu se ka nisur kërkimet për një vajzë të mitur, 16 vjeç, e larguar nga banesa, pas kallëzimit të bërë nga nëna e saj, shtetasja E. S.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban proceduan penalisht shtetasin F. Z., 21 vjeç, nga Himara, pasi më 16 korrik, në zonën e “Potamit”, duke drejtuar automjetin tip “Benz” pa leje drejtimi, u përfshi në një aksident me dëme materiale me një tjetër automjet.
Një tjetër rast u regjistrua më 15 korrik, në rrugën “Dhimitër Konomi”, ku shtetasi A. L., 58 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Hyundai”, përplasi një shtetas amerikan 30 vjeç, që lëvizte me biçikletë. Shtetasi amerikan u dërgua në spital ku mori ndihmën mjekësore dhe më pas u largua në banesë në gjendje të mirë shëndetësore.
Materialet për të gjitha rastet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.




