Fier – Artizanja e fundit që punon në tezgjah prej më shumë se 40 vitesh

Në një dhomë të thjeshtë gjumi në qytetin e Fierit, vijon të ruhet ende një zanat i hershëm që po shuhet me kalimin e kohës. 68-vjeçarja Fitnete Ereqi është ndoshta artizanja e fundit në këtë qytet që punon ende në tezgjah, duke ruajtur traditën e punimeve artizanale me lesh.
Fitnetja ka nisur punën që në moshën 18-vjeçare, në leshpunuesen e Fierit, ku punonin mbi 500 gra për prodhimin e sixhadeve për eksport. Pas mbylljes së ndërmarrjes në fillim të viteve ’90, ajo nuk e ndërpreu zanatin, por bleu një tezgjah dhe vijoi punën në shtëpi.
“Punën e kam filluar në leshpunuesen e Fierit. Pas viteve ’90 gjithçka u mbyll, por unë bleva një tezgjah dhe vazhdova nga shtëpia”, tregon ajo.
Për më shumë se 25 vite, Fitnetja ka punuar e vetme në kushte shtëpie, duke ruajtur një traditë që sot po harrohet. Ajo shpjegon se punimi i një sixhadeje është i ndërlikuar dhe kërkon bashkëpunimin e disa grave për afro një muaj e gjysmë. Për shkak të kostove të larta, ajo prodhon më shumë qilima, të cilët janë më të kërkuar dhe më të përballueshëm.
“Sixhade kam bërë vetëm një herë, është shumë e kushtueshme. Qilima kam bërë shumë. Lëndën e parë e marr nga Vlora, por edhe ajo po bëhet e vështirë. Kostot janë të larta dhe kërkesat të pakta”, thotë artizanja.
Porositë më të shpeshta janë për pajën e vajzave, një zakon që ende ruhet në disa familje. Megjithatë, Fitnetja thotë se është drejt mbylljes së punishtes së saj, pasi nuk ka asnjë të interesuar për të mësuar këtë zanat.
“Asnjë vajzë e re nuk pranon të mësojë këtë punë. Të rinjtë nuk duan tezgjah, duan gjëra moderne. Më vjen shumë keq që nuk do mundem t’ia lë dikujt këtë profesion”, shprehet ajo.
Në një kohë kur artizanati është në rrezik të zhduket, historia e Fitnetes është një thirrje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo përfaqëson jo vetëm një zanat, por një pjesë të gjallë të identitetit shqiptar që kërkon vëmendje dhe mbështetje.




