Shpërthim në një pikë tregtimi gazi në lagjen “1 Maji” në Fier, dy të lënduar

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mesditën e sotme lagjen “1 Maji” në Fier, ku një bombul gazi ka shpërthyer brenda një ndërtese që shërbente si pikë e vogël tregtimi për bombula gazi.
Burimet bëjnë me dije se si pasojë e shpërthimit janë lënduar dy persona – pronari i pikës së tregtimit dhe një shtetas tjetër – të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier. Mësohet se njëri prej të lënduarve ndodhet në gjendje të rëndë dhe po merr trajtim të specializuar nga mjekët.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, ambulanca dhe shërbimet e Policisë, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe sigurimin e zonës për të shmangur rreziqe të mëtejshme.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se shkak i shpërthimit është bërë rrjedhja e gazit gjatë procesit të mbushjes së bombulave.




