Vrasja në Fier/ Fqinji i viktimës: “E trajtonin shumë keq, nuk i jepnin as para. Flinte vetëm, në një dhomë të vogël”

Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik në Fier, ku një 26-vjeçare, Emanilda Rama, vrau me tel të atësaj, Anesti Ramën. Një nga fqinjët e familjes, në një dëshmi për mediat, ka rrëfyer marrëdhëniet e tensionuara brenda familjes dhe trajtimin çnjerëzor që i bëhej viktimës.
Sipas tij, Anesti Rama ishte një burrë punëtor dhe paqësor, që punonte në një firmë private dhe merrte një pagë mujore, por nuk dinte shkrim e këndim. Kjo ishte arsyeja pse gruaja dhe vajza kishin marrë një prokurë për të tërhequr pagën e tij nga banka. Ai hedh poshtë pretendimet e vajzës se i ndjeri nuk i jepte para:
“Nuk e trajtonin fort mirë. Kishte punë në firmë, por nuk dinte shkrim e këndim. Me prokurë i tërhiqnin lekët. Ajo që thotë çupa që nuk i jepte lekë është gënjeshtër. Hanin çfarë të donin. Ishte dobësuar shumë. I thoja – e ushqeni apo jo? – thoshin ‘po’, por ndoshta gënjenin.”
Ai përmendi edhe episode dhune psikologjike dhe konflikte të vazhdueshme brenda familjes, që ishin të dëgjueshme edhe nga fqinjët:
“Ziheshin shumë. Debate të forta, bërtiste, dëgjohej zëri deri këtu. Para disa vitesh pata vetë kontakt me policinë, ata (gruaja dhe vajza) u ankuan për dhunë, por ai nuk ishte njeri i dhunshëm. Ishte si ‘dede’, i qetë. Gratë punonin në sera, sot kishin bukë, nesër jo. E trajtonin keq.”
Fqinji ka hedhur dritë edhe mbi marrëdhënien mes bashkëshortëve, duke theksuar se që prej më shumë se 20 vitesh, gruaja nuk flinte më me të shoqin dhe e kishte nxjerrë nga dhoma bashkëshortore:
“Flinte veç, në një dhomë të vogël. Ajo (gruaja) kishte kohë që nuk e donte. Ka 20 vjet që nuk flinte me të.”
Në përfundim të dëshmisë, fqinji tha se akti i vrasjes mund të ketë ardhur si pasojë e “karakterit të dobët dhe psikologjisë së paqëndrueshme” të vajzës dhe mungesës së arsimimit:
“Ishte çupë që merrte flakë për çdo gjë që ndodhte në fshat. Njerëz të paditur, me psikologji të dobët. Karakteri i dobët sjell pasoja të mëdha.”
Ngjarja tragjike ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal. Ndërkohë, policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e këtij krimi brenda familjes.




