Zjarr shkatërrues në malin e Shpiragut – Banorët alarmojnë: “Rrezikohen Çeta dhe Bistrovica, duhet ndërhyrje nga ajri!”

Një zjarr me përmasa të frikshme ka përfshirë malin e Shpiragut mbrëmjen e sotme, duke u përhapur me shpejtësi skëterrë dhe duke shkatërruar gjithçka në rrugën e tij. Një banor nga fshati Çetë i ka dërguar Fieri Web një video alarmante, ku shihen flakët që përfshijnë një sipërfaqe të madhe dhe që po rrezikojnë seriozisht banesat në fshatrat Çetë dhe Bistrovicë.
“Ne malin e Shpiragut zjarre me përmasa të frikshme dhe me një shpejtësi skëterr po shkatërrojnë çdo gjë. Janë djegur mijëra rrënjë ullinj dhe për fat të keq nuk ka asnjë helikopter apo avion për shuarjen e flakëve”, shprehet ai i shqetësuar.
Sipas dëshmisë, flakët janë përhapur në një vijë që mund të jetë me kilometra e gjatë dhe situata është përkeqësuar ndjeshëm rreth orës 22:00. Zjarri po përparon në drejtim të zonave të banuara, por ndërhyrja nga toka është thuajse e pamundur për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së infrastrukturës rrugore.
“Rrezikohemi! Kemi shtëpitë në fshatin Çetë. Rrezikohet seriozisht edhe fshati Bistrovicë. Zjarrfikësit nuk mund të ndërhyjnë dot, duhet ndërhyrje urgjente nga ajri!”, apelon ai.
Fieri Web i bashkohet thirrjes së banorëve për një ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet dhe strukturat përkatëse, për të shmangur një katastrofë të mundshme në një nga zonat më të njohura të Fierit për trashëgiminë natyrore dhe kultivimin e ullinjve.




