Po shohim vdekjen me sy”/ Heroi 35-vjeçar shpëton tre familje nga flakët, humb shtëpinë e tij

Mes shkatërrimit dhe panikut që sollën zjarret në zonën mes fshatrave Kullollas dhe Skënderbegas, një histori guximi dhe sakrifice ngjalli shpresë. Mirgen Çela, 35-vjeç, banor i zonës, arriti të shpëtonte tre familje nga flakët përpara se zjarri të përpinte gjithçka në rrugën e tij.
Por ndërsa u bë shpëtimtar për të tjerët, ai vetë humbi shtëpinë dhe pasurinë e një jete, duke mbetur mes hirit dhe kujtimeve të djegura.
Rrëfimi i plotë:
Zjarret që përfshinë zonën mes fshatrave Kullollas dhe Skënderbegas lanë pas shkatërrim dhe tronditje. Mes këtij kaosi, një akt heroik ngjalli shpresë: 35-vjeçari Mirgen Çela, banor i zonës, rrëfen për gazetarin Shkëlzen Henkoja momentet dramatike kur shpëtoi tre familje nga flakët, ndërsa vetë humbi gjithçka.“Ishte e tmerrshme. Tym kudo, nuk shihje asgjë. Ecja nëpër tym, të kapur dorë për dore, njëri pas tjetrit, vetëm ashtu mundëm të dalim gjallë,” – tregon Mirgeni, ende i tronditur nga ngjarja.Ai rrëfen se zjarri u përhap me shpejtësi marramendëse, duke mos lënë kohë për menduar, vetëm për vepruar.“Kur zbrita disa metra më poshtë, mendova se s’do ja dilja. Flakët kaluan nga Kullollasi për në Skënderbegas si baruti. Ishin kudo. Shpëtova tre familje, por… kur shkova më vonë në Skënderbegas, shtëpia ime ishte djegur. Ishte zhdukur.”Sytë e tij shohin përreth, një horizont zjarri dhe hi. “Nuk kam fjalë… po shohim vdekjen me sy,” përfundon ai.




