Sarandë/ Konflikt për motive të dobëta, plagosen rëndë një 26-vjeçar dhe prindërit e tij, në pranga dy vëllezër

SARANDË – Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e 17 gushtit në qytetin bregdetar, ku një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me dhunë fizike. Si pasojë, kanë mbetur të plagosur rëndë një 26-vjeçar dhe prindërit e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë arrestuar në flagrancë dy vëllezërit F. L., 39 vjeç dhe R. L., 45 vjeç, banues në lagjen nr. 4 të qytetit, të cilët akuzohen për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Sipas Policisë, të arrestuarit, gjatë një konflikti, kanë goditur me sende të forta shtetasit E. A., 26 vjeç, N. A., 59 vjeçe dhe B. A., 62 vjeç, duke u shkaktuar plagë të rënda. Të tre të dëmtuarit janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.




