Divjakë – Konflikti për një kanal vaditës përfundon me vrasjen e 32-vjeçarit, arrestohet autori.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e kaluar fshatin Kryekuq në Divjakë, ku një 32-vjeçar humbi jetën pasi u godit me thikë.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në një lokal ku viktima, shtetasi Besnik Kumria, 32 vjeç, po qëndronte në shoqërinë e miqve të tij. Në lokal hyri autori i dyshuar, shtetasi Xh. T., 25 vjeç, i cili e goditi me mjet prerës duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas krimit, autori u largua, por u kap pas disa orësh ndjekjeje intensive nga shërbimet operacionale të DVP Fier. Ai u shoqërua në komisariat dhe pritet të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se motivi i krimit lidhet me konflikte të vazhdueshme mes dy familjeve për një kanal vaditës në fshat.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.




