5 ditë pas tragjedisë në familjen Dhimaku, flasin bashkëfshatarët: Vajzave iu këput jeta në lule të rinisë

Fshati Kopaçez i Fierit është mbuluar nga dhimbja pas tragjedisë që mori jetën e dy motrave Dhimaku, Elvisa dhe Rozina, të cilat humbën jetën pesë ditë më parë në një aksident tragjik rrugor në aksin Sarandë-Delvinë.
“Një familje e mirë dhe vajza të mira”, kështu shprehen banorët e fshatit për familjen Dhimaku, ndërsa tregojnë se zija ka pllakosur jo vetëm shtëpinë e viktimave, por gjithë komunitetin.
Dy motrat, 22 dhe 20 vjeçe, studionin për mjekësi në Tiranë, njëra në universitet publik dhe tjetra në privat. Më e madhja, Elvisa, drejtonte makinën tip Lancia, me të motrën Rozina dhe shoqen e tyre, Antonela Zhupa, 24 vjeçe, pasagjere.
Tragjedia ndodhi rreth orës 20:15, kur makina e tyre u përplas kokë më kokë nga një automjet tip Audi. Përplasja rezultoi fatale për dy motrat, ndërsa Antonela mbeti e plagosur, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në timon ishte 24-vjeçari Kevin Norra, i cili, sipas hetimeve paraprake, ka kryer një parakalim të gabuar duke qenë në gjendje të dehur. Ai udhëtonte drejt Gjirokastrës, ndërsa vajzat drejt Sarandës. Norra, i cili punon si specialist në Ministrinë e Brendshme, tashmë ndodhet nën hetim për shkaktimin e aksidentit me pasojë vdekjen e dy të rejave.
Komuniteti i Kopaçezit është i tronditur nga humbja e vajzave që, siç thonë banorët, kishin një të ardhme të ndritur përpara.




